|
| POSTUAR NGA: T_o_n_i on 03/02/2008 17:55:40 |
|
Mahmut Abas vendosi të ndalë zyrtarisht tratativat për shkrirjen e procesit të paqes me Izraelin pas sulmeve të fundit në Gaza. Lajmin e bën të ditur një nga zëdhënës i tij. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit, Ehud Olmert deklaroi se operacionet kundër militantëve në Gaza do të vazhdonin pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund. Olmert theksoi se Izraeli nuk kishte ndër mend të ndalte luftën për asnjë minut. Duke folur përpara kabinetit qeveritar, kryeministri tha se askush nuk kishte të drejtë t’i bënte moral vendit të tij i cili po ushtronte të drejtën e ligjshme, atë të vetëmbrojtjes. ‘Izraeli nuk ka ndër mend të ndalë luftën kundër organizatave terroriste. Asgjë nuk do të na ndalë nga operacionet ushtarake që kanë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve tanë’: tha ai. Edhe ministri i mbrojtjes, Ehud Barak, tha se vendi i tij duhet të përgatitet për një përshkallëzim të operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës. Ndërkaq, shefi i diplomacisë së ‘Kombeve të Bashkuara’, Ban Ki-Moon u bëri thirrje palëve të përfshira në konfliktin në Gaza të largohen nga dhuna që shkaktoi vdekjen e më shumë se 80 personave. Duke folur në një takim urgjent të ‘Këshillit të Sigurimit’, Ban Ki Mun dënoi atë që ai e quajti përdorim pa masë të forcës nga ana e Izraelit. Ai kërkoi t’i jepej fund sulmit me raketa të palestinezëve kundër Izraelit. Më shumë se 150 palestinezë dhe shtatë izraelitë u plagosën gjatë sulmeve izraelite nga ajri në Gaza.
|