Welcome Guest Login or Signup

CHAT
|
MSN
|
BOOKMARK
| LANGUAGE:

Bookmark:
RSS 1.0     RSS 2.0

Lexime Gjithsej: 552 - Pergjigje Gjithsej: 0

POSTUAR NGA: zudi on 02/03/2008 13:51:33


- Nga: Essat Bilali Shoqata “VATRA” e Bostonit dhe shoqata “Vatra”e downtown-it dhe krytarët e saj..., Kur flitet për “Vatrën” e downtown-it, të përhihet, madje me impunim, gjendja e atij katolikut të sëmurë që bëhet mysliman për të gjetur shërim. Por, posa myslimanizohet, ai vdes, sepse ndjek rrugë të gabuar, për çfarë Zoti nuk e ndihmoi! Edhe “Vatrës” së Bostonit ia ndërruan vendlindjen e saj dhe atdheun nënë për të gjetur një atdhe nënë tjetër, por nuk ia arritën qëllimit, nuk kanë se si, sepse vendlindja dhe atdheu janë vetëm një, unikalë! Vetëm tradhtarët kanë shumë atdhera! Gjatë këtyre 50 vjetëve, të qenies së saj, “Vatra”, (është fjala për atë të Bostonit, për klasiken), ka pasur qenie të përshkuar nga një krizë e vazhdueshme, e cila ndonëse nuk ia zuri frymën, e bëri si bollë të vrarë që, ndonëse shihte, lëvizte me vështirësi. Kriza veçanërisht filloi të ashpërsohej pas viteve të 60-ta, kur u pranuan si anëtarë emigrantët e pas Luftës së Dytë Botërore, sepse u pa një shtek jo veç për të mbijetuar, por edhe për t’u forcuar. Por, kjo rrjedhë filloi me dyshime dhe u zhvillua me zhgënime të hidhura, që jeta i ka vërtetuar dhe po e vërteton edhe sot e kësaj dite. Qëllimi i elementit të ri që hyri në shoqatë, nuk ishte për ta ndihmuar vazhdimin e qenies së “Vatrës”, ose për ta forcuar atë, por ishte tentim për ta kontrolluar dhe shfrytëzuar atë për qëllime të tyre politike. Kjo bëhej ngadalë dhe me mjeshtëri. Ata ose fusnin përzemërsues të tyre, gjoja jo politikë në fillim, nga të cilët kishte mjaft asosh që thonin “mirë kosi e mirë tëmbli”... Aparatçikët e partive politike, madje ata që mbanin poste të larta partiake të Legalitetit dhe të Bllokut, e para me përvojë nga lufta kundërfashiste dhe tjetra jo veç përkrahëse, por edhe bashkëpunëtore e pushtuesit fashist... Ata tashmë i bashkonte ideali i njëjtë: rrëmbimi i shoqatës për levërdi politike, specifikisht kundër atyre që nuk ishin në radhët e tyre, dhe, në përgjithësi, gjoja kundër regjimit komunist në Shqipëri, madje, ajo që ishte dhe më keq, edhe duke bashkëpunuar me Serbo-Jugosllavinë... (Shih “Emigracioni shqiptar 1948-1953”, Prishtinë, 2005). Një qëllim të këtillë për shoqatën nuk e donin vatranët e Bostonit, jo pse ata ishin përkrahës të regjimit komunist (në Amerikë regjimi kishte “Lirinë” e Bostonit me disa anëtarë dhe Shoqatën “Naim Frashëri” me kryetarin e saj...), por pse nuk donin që ta politizonin shoqatën, sepse në thelb ajo kishte si devizë: “Vatra nuk duhet të marrë pjesë në politikë” (Shih neni 6 i “Kanunores”). Këta përkraheshin edhe nga disa veprimtarë të vjetër kundërkomunistë, si veprimtari i zellshëm Ymer Doda, gazetari dhe poeti Xhevat Kallajxhiu me një numër atdhetarësh të papolitizuar, duke përfshirë edhe disa intelektualë të rinj, të shkolluar në vend, të cilët mendonin të sajonin një front të përgjithshëm për mbrojtje të çështjes kombëtare... Megjithatë, vatranët e Bostonit nuk dorëzoheshin. Dr. Ilia Andrea, kryetar i shoqatës, i shkruante intelektualit Essat Bilalit në letrën e 19 shtatorit, 1981: “Mos u bëj merak, se armiku e nxori faqen në Kuvend”. Këtu më poshtë po jepen disa specifika, të cilat e konkretizojnë këtë antagonizëm, i cili shpesh shndërrohej në armiqësi: Për “Vatrën” s’çahej koka gjatë një viti. Por kur afrohej koha për mbajtjen e kuvendit, ku zgjidheshin zyrëtarët e saj, njerëzit e grupeve gumëzhinin si bletët në zgjua. Anëtarë apo jo, paguar apo pa paguar anëtarësinë, paraqisin lista me emra fare të panjohur dhe emëronin dhe zgjidhnin zyrëtarë njerëzit e tyre. Kjo ndonjëherë bëhej edhe me ballafaqime që çonte në një acarim kur për pak nuk pëlciste dyfeku...Më kujtohet, më duket se në Kuvendin e viti 1981 që u mbajtë në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, një ballafaqim midis veprimtarit vatran të zellshëm Ymer Dodës (i cili u vra duke luftuar për “Vatrën” dhe njerëzve të grupeve), sidomos ..., një legalist i zellshëm, i cili këmbënguli: “Nëse nuk pranohet proponimi im, unë me përfaqësuesit e mi do të dal nga kuvendi”. Për shkak të kësaj gjendjeje, kur merreshin vendime për veprim, ato pothuajse kurrë nuk zbatoheshin, sepse sabotoheshin në prapaskena.. Prandaj, sa herë që mblidhej Këshilli drejtues, bëhej fjalë për të njëjtën gjë dhe kështu njëri thumbat dhe tjetri patkoit, kali ngelte pa u mbathur... Po ajo që u diskutua si në kuvende, nëpër degë dhe në këshillin drejtues, madje për shumë kohë në trajtë mjaf të gjallë, ishte çështja e “Kanunores”, e cila me gjithë diskutimet kurrë nuk u miratua, sepse atyre nuk u shkonte për shtati neni 6 i Kanunores, ku thuhej: “Vatra s’duhet të pjesëmarrë në politikë”, po donin të ishin “Lala Kros, vetë shkruaj, vetë vulos”, siç thonte Fishta. Kjo çmenduri ka sunduar sigurisht edhe për kanunoren e re, në “Vatrën” e downtown-it, të cilën dikush e paska përpunuar, por është lënë në heshtje, sigurisht se me muhanati, duke bërë rrapa-dapa si në mullirin pa drithë, por edhe pse një kuvend kuptimplotë kurrë nuk është bërë... Gjendja në “Vatrën” e Bostonit u acarua veçanërisht me afirmimin e Misionit Shqiptar në OKB-në, si pasojë e një farë politike të daljes së Shqipërisë nga izolimi. Kjo ishte një kohë kur çdo mospajtues, me parimin fashisto-komunist “ja me ne, ja kundër nesh”, etiketohej si komunist, proenverist dhe të tjera, po kurrë fashistë, serbistë apo grekofilë...Kështu u sulmua me letra Sami Repishti, madje më duket se me emra të rremë. Për sulm përdorej përvoja fashisto - serbiste e disa horrave që veprojnë edhe sot e kësaj dite, por burimi u mor vesh, që ishte një ish-fashist i përbetuar. Sami Repishti ishte veprimtari më i zellshëm kundër Serbo-sllavisë në sajë të të drejtave të njeriut, por jepte ndihmesë me shkrime edhe për “Diellin” e Bostonit, ndonëse nuk ishte anëtar. Kjo politikë kishte për qëllim shkatërrimin e tij si veprimtar dhe si dashamir i shoqatës, sepse, pos tjerash, ua fashiste ëndrrat atyre që rrinin e prisnin me duar lidhur për t’u bërë kryetarë dhe redaktorë të gazetës. Kur u bë redaktor i “Diellit”, Eduard Liçoja, me marifete duke bashkëpunuar me Agim Karagjozin, me të cilin u prish pastaj, mbase për ndarjen e posteve, bëri orvatje të rihabilitonte pushtuesin fashist me shërbëtorët e tij. Ndonëse ai qe emëruar redaktor në mënyrë subversive, jo nga këshilli drejtues, kur bisedonte për Bilal Xhaferin, botuesin e “Krahu i shqiponjës”, gjë që bëri Essat Bilalin të dalë nga Këshilli Drejtues në shenjë protese. Po ashtu Sami Repishti u sulmua në kuvendin e “Vatrës”, që u mbajtë më 1985 në restorantin e Anton Atanasit, kur lexoi temën e porositur nga Këshilli drejtues “Ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të jetë Vatra?”, me të cilin kontaktoi anëtari i këshillit drejtues Tonin Mirakaj, disa e cilësuan fjalën e tij si “propagandë komuniste”, mbase ata që kishin qenë vetë ose komunistë ose fashistë ose serbistë. Samiun u përpoq ta mbronte, tani i ndjeri, z. Antoni Atanasi. Sulmi ndaj Sami Repishtit buronte nga mendimi se, siç flitej, ai paska pasë shkuar, mbase për “të marrë dorë”, në një natë me stuhi, me Sejdi Bytyqin, te Misioni Shqipërisë (?!) Por, edhe sikur të ishte e vërtetë, ata ishin njërëz të lirë dhe qytetarë amerikanë, kurse për ata që shkonin në Legatën jugosllave nuk thuhej asgjë, gjë që dihet pse... (Shih: Emigracioni Shqiptar 1946-1953, Prishtinë, 2005). “Unë e ndjeva gabimin që bëri Peter James-i kur ish editor. Ai njeri ish vënë të prishte “Vatrën”’, i shkruante Essat Bilalit, në letrën e 19 shtatorit 1982, kryetari i “Vatrës”, dr. Ilia Andrea, fill pas kuvendit. Po atë që e filloi Petër Jams-i më herët, do ta vazhdojnë më vonë të tjerët. Këtë do ta vazhdojë Eduard Liçoja kur u bë redaktor i “Diellit”. Por fill pas botimit të disa numrave të “Diellit” Eduard Liçoja vdiq. Duke mos patur ndonjë njeri tjetër që kishte mundësi të shkruante, u zgjodh në trajtë të ligjshme redaktor i gazetës Din Derti, një djalosh i shkolluar në SHBA-të në letërsinë frenge. Ai ishte edhe veprimtar i zellshëm, i cili e donte shoqatën dhe Shqiptarinë pa kufizime. Por Din Derti kishte një të keqe për ata që e quanin veten “nacionalistë”, sepse s’ishte i papolitizuar... Prandaj. edhe kundër tij u zhvilluan armiqësira. Një herë kur qesh rastësisht te shtëpia e Agimit Karagjozit me Shefqet Vatën e ndjerë, ai më tha” “Thuaj Dinit se po të vazhdosh kështu...”, ishte një kërcënim i mjegulluar, që do të qartësohej më vonë, madje në kuvendin që pasoi. Në një gjendje të këtillë mjaft të acaruar, do të mbahet Kuvendi vjetor i “Vatrës” më 20.4.199l në Nju Jork Citi, në të cilin u debatua shumë për çështje të ndryshme dhe veçanërisht pas vënies së kandidaturës për kryetar të Arshi Pipës, pa qenë i pranishëm dhe pa qenë anëtar, për kundër Heri Stojës, ish-kryetarit të mëparëshëm shqiptaro-amerikan nga Bostoni, i cili ishte rritur me shoqatën dhe kishte dhënë ndihmesë të madhe për të. Kandidaturën e Arshi Pipëes e kundërshtoi në mënyrë të rreptë shkruesi i këtyre radhëve (që tani ishte vetëm anëtar), me mbështetjen se ai nuk ishte anëtar i shoqatës dhe veprimtaria e tij e politizuarishte në kundërshtim me dispozitat e “Kanunores”. Këtij kundërshtimi iu bashkangjitën edhe një numër përfaqësuesish, z.. Anton Atanasi, Din Derti, Heri Stoja, Abdullah Kaloshi, Muahrrem Bilali dhe të tjerë. Por kur u hodh në votim, Arshi Pipa fitoi, ndonëse nuk ishte i pranishëm. Me këtë rast Antoni Atanas tha: “Kjo është dita më e zezë e jetës sime”. Të gjithë ne e lëshuam sallën, duke përfshirë edhe redaktorin e “Diellit” Din Dertin, i cili dha dorëheqie. Pra, edhe me këtë rast “Vatra” humbi tre intelektualë, të cilët më duket se ishin të vetmit në shoqatë dhe të cilët mund të jepnin ndihmesë, dhe vatranët kryesorë të Bostonit, përkrahësit dhe bashkëpunëtorët e Nolit. Por me marifete, me vota margjinale, u zgjodh Arshi Pipa kryetar. Kjo që pasojë e mosmmarrjes pjesë në votim e disa përfaqësuesve nga Kosova (Shih: Essat Bilali, “Një zë tjetër 2” 2001). Arshi Pipa ishte një personalitet i njohur dhe me kulturë të gjërë. Ai jo veç kishte shkruar shumë, por edhe ishte autor i disa librave, bile quhej edhe profesor, se jepte elementet e shqipes dhe të italishte në një fakultet për amerikanë fillestarë. Por pas 81-shit, ai u rrjeshtua me forca kundërshqiptare, që thuhej kundër “Shqipërisë staliniste” dhe kundër “kosovarëve enveristë”, që luftonin kundër pushtuesit serb, në mënyrë të skajshme si partizanët e 45-shit dhe ishte kundër luftës së tyre, “sepse murit nuk i bihet me krye” (“Albanika”, 1990, f. 123), ose “Ata duhej ta dallonin veten nga shqiptarët e atdheut të tyre nënë sesa të njohtoheshin simbolikisht me të” (Ibid f. 60) dhe marri të tjera. Por ajo që ishte më keq, me gjithë që ishte me prejardhje nga jugu i Shqipërisë, ai ishte shumë kundër jugorëve sa donte ta zhbinte edhe Nolin e madh, madje duke e shfytyrëzuar veprën e tij dhe ta shkatërronte tërë kulturën shqiptare, duke përfshirë edhe gjuhën standarde në të mirë të gjuhës së tij, jo për ta përpunuar atë...Si i këtillë, ai ishte fund e krye i pa përshtatshëm për shoqatën. Por, ai ishte e vetmja letër që u kishte mbetur në duar esnafëve të tij dhe, vërtet, e bëri punën e tyre, sepse bëri të mundëshme që ata ta rrëmbenin shoqatën nga “komunistët” dhe kështu t’ia shkulnin edhe rrënjët asaj nga vendlindja e saj dhe atdheu i saj i vjetër, me një fjalë, ia ndërpren rrjedhën e jetës së natyrëshme, për të mos thënë se e mbytën... Por, meqë Arshi Pipa nuk ishte marrë me punët e shoqatës, madje as duke qenë anëtar i thjeshtë, dhe mëqë nuk i njihte njerëzit e saj, madje ai kishte qëndruar edhe larg bashkësisë shqiptare, “sepse nuk kishin kulturë të lartë”, punët nuk mund t’i shkonin mirë. Së parit, ai nuk mundi të gjente një redaktor për gazetën, sepse as nuk kishte njerëz që kishin mundësi ta bënin atë punë, as që donin të punonin në atë mjedis, as nuk mund të punonin me Arshi Pipën. Prandaj, ai u detyrua ta kryente vetë detyrën e readaktorit të gazetës. Së dyti, edhe ai si redaktori i parë, i skajshëm dhe patalogjik, bëri disa akrobacione, sigurisht se edhe për t’ia bërë qejfin dikujt tjetër. Kështu, u përpoq shumë për ta zhvletësuar Nolin duke e krahasuar me Konicën. Por ai u bë, si redaktori tjetër, edhe brutal, duke e sulmuar Essat Bilalin, njeriun që kishte punuar për shoqatën për shumë vite, me një shënim në “Diellin”, duke e quajtur, me qëndrime vërtet komunisto-fashiste për asgjësim, “psihopat” (spellatje serbe e fjalës), që duhet të shkojë në “shtëpinë e të çmendurve” dhe si “njeri i patrurë”, që ishte një metastazë arshipipane, sepse ai vetë ishte me tru të ndryshkur... Sa i përket mendjes, Arshi Pipa kishte një diplomë nga Italia “buono për Albania”, që ishte sa gjysma e diplomave akademike që kishte E. Bilali dhe që i kishte fituar me punë të rëndë në gjithëmësimoret e Amerikës. Në atë kohë Arshi Pipa kishte disa libra të shkruara dhe një libër “Trilogia”, (të cilën e ka pasë kritikuar z. Peter Prifti, shih “Zëri i së vërtetës”, v. 5, No. 1-2, 1992, USA), ku jepte mendime për letërsinë shqipe që ka pasë mësuar në shkollë të mesme, po të shkruar mirë anglisht, sigurisht se redaktuar nga plaka amerikane me të cilën bashkëjetonte (se anglishtja në moshë të shkuar është vështirë të mësohet) dhe jo pa rëndësi për lexuesin amerikan, ku mungonin të dhënat për kulturën shqiptare, por jo me zhbirime dhe origjinalitet novatore... Kurse Essat Bilali, pas kryerjes së studimeve në filozofi B. A. dhe M.A. dhe të tjera, posa kishte filluar të afirmohej me studime e përkëthime në fushë të historisë, por që në atë kohë nuk kishte asnjë libër të botuar, sepse ishte më pak se në gjysmë të motit dhe merrej shumë me hallet e kombit. Por më vonë, ai do të paraqitet me një numër titujsh dhe vazhdon edhe me të tjerë, një numër mjaft i madh, të cilët po t’ia ngarkosh gomarit, mund t’i shtrembërohen këmbët! Sulmi që i bëri Essat Bilalit, pra, Arshi Pipa, nuk ishte një kritikë e një intelektuali me qëllime ndërtuese, por sulm hakmarrës, si i disa rrugaçëve të tjerë, dhe asgjësues (në pajtim me ato që i bëheshin Sami Repishtit), për kritikën që i pat bërë shkruesi me fakte e me argumente (Shih “Zëri i së vërtetës” USA dhe “Një zë tjetër 3”, Prishtinë..., duke zbuluar qëndrimin e tij kundërshqiptar qejfbërës të të huajvet, tipike e një njeriu “mushk”, siç e quajti një studiues kosovar për kokëfortësinë e tij. Kurse si kryetar, Arshi Pipa erdhi me një qëndrim shumë armiqësor, pikërisht si terrorist, pa një platëformë për rindërtimin e shoqatës, pikërisht si trimat e maleve tona, me dyfek në dorë dhe mend përmbi kapuç, ndaj zyrëtrëve të mëparëshëm të shoqatës, sa deshi ta hjedhë në gjyq, tashmë të ndjerin, Antoni Atanasin, sepse nuk pajtohej me të... Po një qendrim të këtillë të egër duket se ai mbajti edhe ndaj atyre që e zgjodhën për kryetar të shoqatës së downtown-it, mbase nga kokëfortësia e një mendjemadhi, por edhe nga ajo se ai nuk ka mundur t’i durojë diktatet e atyre njerëzve të Këshillit drejtues “që nuk kanë shkruar asnjë fjali”, nga pamundësia për t’i pranuar diktatet e shoqatës së atyre “njerëzve të mirë të shoqatës” dhe që “DUAN TË BËJNË VETËM ANËTARË TË MIRË”, të “Trojkave”, ose duke shkuar me atë mendimin absurd se “të gjithë flasin mirë për shoqatën, përveç teje”, siç i qenka thënë poetit, publicistit dhe redaktorit të fundit të “Diellit”, Anton Çefa, “gjenerali pa ushtri”. Prandaj, brenda një kohe të shkurtër do ta përjashtojnë Arshi Pipën, madje kur ishte në Shqipëri, duke ngrehur gjyqet për t’u hakmarrë ndaj komunistëvet, ku do të sëmuret nga dëshpërimi dhe do të vdesë pas pak kohe. “E vetmja rrugë e këshillueshme për ne në periudhën e tashme, sipas gjykimit tim, është durimi dhe shpresa se me kohë kushtet do të përmirësohen”, i shkruante A. Karagjozi Essat Bilalit, në letrën e cituar më sipër. Me përjashtimin e Arshi Pipës, kjo ditë, duke i fërkuar duart, sikur i erdhi Agimit, sigurisht se i impunuar nga “providenca historike”... Dhe kështu Agim Karagjozi e fillon karierën e tij në majë të asaj “Vatrës” së downtown-it. Por edhe ky fillim, si ai i Arshi Pipës, jo i një kryetari, i një timonieri të anies, por tipike për të, siç pohon vetë ”të shumëtën e rasteve qendrimi i im ka pasur si pasojë vetëm shtimin e kundërshtarëve dhe përçarjen, asgjë tjetër” (Ibid). Rrëmbimi i udhëheqjes së “Vatrës” në mënyrë subversive dhe me ndërkëmbësa, si përfundim i një lufte të gjatë dhe përplot me armiqësira, të kujton rrëmbimin e pushtetit të komunistëve në Shqipëri fill pas luftës së Dytë Botërore. Duke e parë veten jo veç shpëtimtarë, por edhe heronj të kombit, ata i hynë Shqipërisë, prirë nga Enver Hoxha, prapë e mbarë duke e shkatërruar tërë të kaluarën për të sajuar njeriun e ri duke shkatrruar, në dukje si i pari, po me tru me flokët e gjata të klasikëve komunistë, me mjekrën prej cjapi të Lenint dhe me mustaqet e përqirrura të Stalinit dhe e shndërruan Shqipërinë në një vend bunkerësh...Të njëjtën gjë disi bënë edhe krerët e rinj të shoqatës. Për të sajuar një Vatër të re, duke filluar me ardhjen e Arshi Pipës, ata e shkatërruan “Vatrën” e Bostonit, të vendit ku lindi e u rrit për “t’i ndihmuar, përparuar dhe arsimuar shqiptarët që vinin nga Shqipëria” (Shih, Qëllimi i Federatës, Kanunorja), dhe e transferuan zyrat e saj në New York Siti. Me këtë rast jo veç iu shkulën rrënjët e shoqatës nga atdheu i saj, por edhe humbi përkrahësit me të zellshëm dhe më të përkushtuar, ata që me shpirt dhe me zemër ishin vatranë të Bostonit. Për ta dëshmuar punën e tyre më tej, me të hollat që kishte nga Bostoni, “Vatrës” së shkulur nga vendlindja ia blen edhe një shtëpi, e cila qenka transformuar në një shkarravinë tipike për vendin e zezakëve, siç thotë vatrani i ri Ramiz Gjini në një shkrim të botuar në “Illyria”: Ai shton. “Ndërtesa trekatëshe është shkatërruar. Më tepër se nga qeraxhinjët, që nuk kanë paguar për shumë muaj, më tepër se nga krimbat që i brejntë trarët, ajo është shkatrruar nga indiferenca e jonë kolektive”, gjë që do të ishte më saktë të thuhej nga lufta që ka mbretëruar në shoqatë midis zyrëtarve dhe nga mungesa e fondeve që jepnin disa njerëz për të blerë poste, duke u bërë kryetarë ose nënkryetarë, mbase nuk e di se të kujt, madje ndër më të lartat dhe kur e fitonin atë, nuk bënin gjë... Kjo gjendje ka mbretëruar për një kohë të gjatë dhe çështja dukej, madje pothuajse kishte përfunduar. Por me ardhjen e disa njerëzve nga Shqipëria pas 91-shit, madje disa jo veç të shkolluar, por edhe autorë të njohur, shpresohej se “Vatra”, mbase e downtowni-it, do të rilindej, sepse këta njerëz kishin mundësi të jepnin çdo gjë që kërkohej: një udhëheqje e shkathtë, të aftë për të dhënë ndihmesë për “Diellin” dhe të aftë për të qenë përgjegjës për çdo gjë. Mjafton të përmendet këtu shkrimtari i njohur Naum Prifti dhe redaktori i tanishëm i “Diellit” Anton Çefa. Por sa herë që ata, mesa merrej vesh, janë përpjekur të zhvillojnë veprimtari në të mirë të shoqatës, duke rënë në kundërshtim me krerët e paligjshëm të saj, jo veç janë kundërshtuar, por edhe janë etiketuar si komunistë etj., Si pasojë e kësaj gjendjeje, ndërtesa, ndonëse e shkatërruar, ekziston, mbase me minjë të Bronx-it, pa njerëz, me përjashtim të “Vetëm nga njëherë, të shtunën, dalin atje kryetari Agim Karagjozi, Zef Përndocaj, Gjon Buçaj, Agim Rexhaj e ndonjë tjetër sa për të shkëmbyer me njëri tjetrin shqetsime dhe mërzi”... Po “Vatra” e downtown-it, pos kryetarit dhe nënkryetarëve të shumtë, nuk e di se të kujt, kanë edhe një këshill drejtues, i cili është shumë i madh dhe trumpetohet në gazetë, meqë atyre që japin dhurata duhet t’u jepet nga një ofiq, nga një emër bosh dhe kështu edhe ta fshehin të kaluarën, se për ndryshe nuk ta japin jo dollarin, por as penin. Por “këshilli drejtues nuk ka çfarë e cilin të drejtojë, pasi djemtë anëtarë të kësaj familje, pothuaj e kanë braktisur”, shkruan Ramiz Gjini, mbase sepse ai këshill është edhe i paligjshëm, sepse, sipas Kanunores ai duhej të përbëhej “Nga katër anëtarë” (Shih Kanunorja dhe rregullorja nën “Zyrëtarët”). Po ashtu, siç është i paligjshëm këshilli drejtues, janë të paligjshëm të gjithë të ashtuquajturit zyrëtarë, sepse sipas Kanunores ata “Janë zgjedhur për një vit nga kuvendi i “Vatrës” dhe i cili parashihet të mbahet për çdo vit në një mbledhje të përfaqësuesve...” (Shih: Kushtetuta, faqe 3), kurse kuvendet e saj nuk janë mbajtur për shumë vite... Si qenia, ashtu edhe veprimtaria e paligjëshme e “Vatrës” së downtown-it, pa fije dyshimi janë jo veç kundërligjore, por edhe të dënueshme. Por, më e dënueshme, madje edhe qesharake është, kur ata njerëz flasin në emër të “Vatrës”, duke mos bërë dallim midis asaj të Bostonit dhe të downtown-it, madje me atë zërin plot besim kur kishte jo 400 anëtarë kur në shumicë i kishte bërë Ymer Doda, as kur kishte 5000 anëtëtarë si në kohën e klasikes, por në emër të bashkësisë shqiparo-amerikane me qindra mijëra. Kur dihet se askush nuk i ka zgjadhur këta njerëz si përfaqësues të tyre, fryrja e tyre është gënjeshtër e madhe dhe si e tillë e dënueshme. Kjo gënjeshtër fryhet me ndonjë letër që nënshkruan kryetari i pazgjedhur për çështje të mëdha kombëtare... Po ajo që është më e habitshme, se kësaj “Vatre” i japin publicitet si gazetat, radiot dhe televizori i Shqipërisë dhe i Kosovës, duke përfshirë një rrenë edhe nga “Zëri i Amerikës” me disa manipulime, të cilat çdokuj i binin në sy. Një qëndrim i këtillë jep përshtypjen se në shoqatë punohet me atë hipnozën fashisto-komuniste ku ka qenë mjeti kryesor shoqëror zmadhimi, kallpësia, me të cilët e gënjejnë edhe zyrëtarët legjitimë të Shqipërisë, të cilët duhet të priten nga bashkësia shqiptaro-amerikane, jo nga vetë të emruarit... Shkrimet që u shkruan për “Vatrën” e downtown-it këto kohët e fundit dhe u botuan në “Ilyria” , të cilat sheshuan gjendjen e saj të mjerueshme, ndonëse zyrëtarët e saj donin t’i mbanin të mbyllura si në komunizëm, kanë shumë rëndësi, sepse kanë dhënë shkasë, siç thotë një psikolog, të merren me gjetjen e barërave për shërimin e sëmundjes. Kjo kuptohet tërthorazi, sepse drejtëpërdrejti asnjëri nuk vuri në duke një plan për ta arritur atë. Prandaj po paraqiten disa sugjerime për ta rindërtuar shoqatën, për ta bërë pjesë të bashkësisë: Së parit, dikush duhet të mbahet përgjegjës për këtë gjendje. Nuk ka fije dyshimi se barra më e rëndë i bie të ashtuquajturit kryetar, Agim Karagjozit. Së dyti, të hetohen se cilët e kanë ndihmuar kryetarin më së shumti për ta bërë dhe mbajtur këtë gjendje të mjerueshme të shoqatës. Pas vërtetimit të këtij mendimi, edhe ata duhet ta mbajnë përgjegjësinë e tyre. Së treti, në vend të këtyre krerëve të paligjshëm të shoqatës, që e quajnë veten “vatranë të mirë”, të zgjidhet një këshill i përkohshëm, i përbërë nga disa njerëz të bashkësisë të pa politizuar, i cili jo veç do të kujdesohet për mbajtjen gjallë të shoqatës, por që në ndërkohë do të përgatisë një mbledhje të përgjithëshme të bashkësisë në tërë Amerikën, e cila do të jetë përfaqësuese e kësaj bashkësie. Së katrëti, nga kjo bashkësi të zgjithen zyrëtarët e përkohëshëm të “Vatrës” me vota të lira absolutisht, duke zgjedhur njerëz që jo veç duan të punojnë, por edhe që kanë mundësi të japin ndihmesë, nuk don mend se duke i përjashtuar njerëzit e politikës dhe ata që fshehen e nuk e dimë se nga vinë, pikërisht ashtu siç thotë Ramiz Gjini: “Ama një gjë duhet varur vëth në vesh: ‘Vatra’ nuk ka nevojë për strategët e prapaskenave, as për mjeshtrit e mëdhenj të luftës së bërrilave, as për komunistë demagogë të thekur (duhej të thoshte as për fashistë dhe neofashistë e tradhëtarë –eb), as për stërvinat e politikës partiake, as për spijunë të serbit e grekut, që s’e kanë për gjë ta shesin atdheun për pesë pare. Por edhe nëse do të na hyjnë në mes nesh të tillë, nuk kemi pse frikësohemi aspak, sepse ‘Vatra’ do t’i sitë dhe do t’i hedh tej si krunde”, Le të vazhdojmë. Betejat e reja nuk fitohen me dyfeqet e vjetra! New York, shtator, 2007
11/20/2008



*** Onalb Friends ***
Powered by phpFoX Version 1.6.20