|
| POSTUAR NGA: albano_dj on 02/14/2008 23:24:06 |
|
Psikologë në Kanada kanë gjetur prova për atë që femrat e kanë dyshuar prej kohësh - meshkujt vërtet janë aq të paarsyeshëm sa të rrezikojnë mbretëri të tëra për të parë një fytyrë të bukur. Biologët e kanë ditur për një kohë të gjatë që kafshët preferojnë shpërblime të menjëhershme në vend të përfitimeve më të mëdha në të ardhmen. Ky proçes, i njohur me emrin "zhvlerësimi i të ardhmes", gjendet edhe tek njerëzit dhe është themelor në shumë modele ekonomike. Vlera e pasurisë dhe materialeve për individët ndryshon me kalimin e kohës. Për shembull, një shumë parash që e merr tani zakonisht të pëlqen më tepër sesa e njëjta shumë e marrë diku në të ardhmen. Por shuma më të mëdha në të ardhmen mund t'ia vlejnë të presësh nën arsyetimin e quajtur zhvlerësim 'i arsyeshëm' (racional).
Disa njerëz, si adiktët e drogës, shfaqin zhvlerësim 'jo të arsyeshëm' ('jo-racional'). Për shembull, preferenca e një sasie të vogël heroine sot në vend të një sasie më të madhe në të ardhmen.
Margo Wilson dhe Martin Daly të Universitetit të McMaster-it në Hamilton, Kanada vendosën të hulumtojnë arsyet e zhvlerësimit dhe si ndryshojnë ato me ndryshimin e ndjenjave seksuale.
Studentët, pasi panë fotografi të femrave të bukura, zgjodhën më shpesh përfitimin afatshkurtër në vend që të prisnin për një shpërblim më të madh në të ardhmen.
Shansi për seks
Studentë dhe studente tek Universiteti i McMaster-it panë fotografi të personave të seksit të kundërt me bukuri të ndryshme të marra nga 'website Hot or Not'. Këta 209 studentë dhe studente pastaj patën një shans për të fituar një shpërblim. Mund të pranonin një çek për 15 deri në 30 dollarë të nesërmen ose një çek për 50-75 dollarë në pika të ndryshme të së ardhmes.
Profesorët që drejtuan studimin vunë re se meshkujt (studentët) që panë fotografi femrash mesatarisht tërheqëse shfaqën zhvlerësim eksponencial të vlerës së ardhme të shpërblimit. Kjo tregon që kishin marrë një vendim racional. Meshkujt që panë fotografi të femrave të bukura e zhvlerësuan vlerën e ardhme të shpërblimit në mënyrë "jo-racionale" - më shpesh zgjodhën shumën e vogël të nesërmen në vend që të prisnin për shpërblimin më të madh.
Femrat, në kontrast me meshkujt, bënë zgjedhjen e arsyeshme pavarësisht nga lloji i fotografive që kishin parë, meshkuj tërheqës ose meshkuj mesatarë.
"Nuk kemi hedhur dritë mbi mekanizmin psikologjik që sjell këto rezultate," thotë Margo Wilson. "Por mendojmë se vështrimi i fotografive të femrave tërheqëse ishte paksa eksitues dhe aktivizoi mekanizma nervorë që kanë lidhje me sinjalet e një mundësie për seks."
Tommaso Pizzari, një biologjist i evolucionit tek Universiteti i Leeds, ofron një shpjegim tjetër: "Në qoftë se ekziston mundësia e fitimit të një partnereje shumë të bukur, mund t'ia vlejë barra qiranë që mashkulli të rrezikojë më shumë sesa kur bëhet fjalë për një partnere mesatare."
Ai i tha revistës New Scientist: "Në qoftë se ky është një reagim ndaj zgjedhjes seksuale duhet të presim që meshkujt më pak tërheqës të rrezikojnë më shumë. Po pate mundësinë e shumë partnereve tërheqëse nuk ia vlen të rrezikosh. Po ishe më pak tërheqës, me më pak mundësi për partnere, atëherë ia vlen të rrezikosh."
--------------------------------------------------------------
Mos E Rruaj Per Njeri Ne Bote Boj Qejfin Tat
|